Më 23 dhjetor, në ora 11:00, në  Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, u bë inaugurimi i pajisjeve për matjen e aero-ndotjes AIRPOINTER.

Inaugurimi solemn u bë nga Zëvendës-Ministresha e Shëndetësisë Dr Mybera Mustafa, Minsitri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor Zotëri Mahir Jagcilar dhe Drejtori i Institutit Kombëtar, Prof. Naser Ramadani.

Pajisjet janë të vendosura në oborrin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Pubike dhe në Ministrin e Financave në oborrin e Drejtorisë së Tatimeve (udhëkryqi i Filozofikut).

Aerondotja është problem serioz për qytetarët e Kosovës. Rritja e intensitetit të qarkullimit të automjeteve, numri i tyre në rritje, përdorimi i karburanteve pa kontrollë përkatëse me përmbajtje të lartë të plumbit, përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje,  ndërtimet pa plan dhe pa leje, afrimi i qendrave të banuara pranë zonave industriale, pakësimi i zonave të gjelbëruara (parqet dhe lulishtet), janë disa nga indikatorët që alarmojnë për ndotje të ajrit.

Rezultatet e aerosedimentit (pluhurit) shpeshherë kanë treguar për tejkalimin e vlerave limit në shumë pika matëse.

Edhepse Sistemi i Informimit shëndetësor akoma nuk ka arritur nivelin për alarmim të shpejtë, megjithate të dhënat ekzistuese flasin per rritjen e incidencës së sëmundjeve respiratore nga viti ne vit.

Të gjitha këto arsye kanë bërë që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të ketë njërën nga prioritetet përcjelljen e kualitetit të ajrit.

Mungesa e paisjes adekuate për monitorimin 24 orësh të kualitetit të ajrit ka qenë pengesa kryesore në realizimin e këtij objektivi.

Instituti Kombëtar, falë buxhetit të rregullt të Ministrisë së Shëndetësisë ka ble dy aparate - AIR POINTER, për monitorimin 24 orësh të kualitetit të ajrit. Këto aparatura mundësojnë matjen e 5 gazrave në ajër: CO, NOX, SO2, H2S, NO dhe njëkohësisht na ofrojnë të dhëna për pranin e grimcave të suspenduara në ajër.

Monitorimi i përhershëm i këtyre parametrave do të filloj nga 1 janari i vitit 2009. Monitorimi i tillë do të na jap të dhëna reale për kualitetin e ajrit brenda 24h, për tejkalimin e vlerave limite në çdo kohë dhe kështu na mundëson që të alarmojmë situatën për të marrë masa konkrete për parandalimin e ndotjes së mëtejme.