Pas vizitës që bëmë në Kuvendin Komunal të Suharekës, Ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike vizituan fshatin Studençan, ishin në vendin ku derdhen ujërat e zeza të fshatiti Dobërdolan, vizituan fshatin, burimin e ujësjellësit të fshatit, Qendrën e Mjekësisë Familiare dhe shkollën fillore " Kongresi i Manastirit" në Studençan.

Raporti i detajuar është përshkruar në vijim:

1. Kronologjia

1.Departamenti i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i komunës së Suharekës, ka informuar më datë 7 janar 2009 Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, përmes degës së tij në Prizren se në fshatin Studençan janë shfaqur raste të hepatitit A prej fundit të dhjetorit të vitit 2008.

2. Ekipi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prizren menjëherë ndërmorri masat kundërepidemike, u dezinfektua dhe klorizua rezervoari i ujësjellësit të fshatit dhetë gjitha sipërfaqet e shkollës fillore përfshirë edhe nyjet sanitare. Pastaj u dezinfektuan dhe klorizuan të gjitha puset te rastet e dyshimta në hepatit.

3. Deri më 15 janar 2009 Instituti Kombëtar identifikoi 77 raste me hepatiti viral A, kryesisht fëmijë parashkollor dhe shkollor. Të gjitha këto raste janë përpunuar në detaje.

4. Deri më 19 janar 2009 janë identifikuar dhe përpunuar gjithsej 83 raste të sëmurë.

2. Vlerësimi epidemiologjik dhe sanitar në vendbanim:

1.Shkolla fillore "Kongresi i Manastirit" furnizohet me ujë për pije nga ujësjellësi i fshatit Studençan.
2.Rezervoari i ujësjellësit nuk ka qenë i klorizuar fare para epidemisë, ku kaptazha e rezervoarit gjendet në fund të fshatit dhe pa zonë mbrojtëse.
3.Ujërat e zeza prej fshatit Dobërdolan derdhen mbi fshatin Studençan në mjedis të hapur.
4.Ujësjellësi me ditë të tëra para shpërthimit epidemik kishte redukime të ujit, që si pasojë janë aktivizuar pompat në gjysmën e fshatit që të merret uji nga puset johigjienike!!!
5.Të gjitha mostrat e ujit në aspektin bakteriologjik nuk i përgjigjen standardit IA-DSHMS 2/99.
6.Dispozicioni i mbeturinave bëhet pa kritere elementare higjieniko-sanitare.
7.Kushtet higjieniko-sanitare në shumicën e familjeve janë të pavolitshme dhe në rrethana të tilla ekziston gjithmonë rreziku potencial për shpërthime të reja të sëmundjeve të zorrëve që përhapen me ujin dhe ushqimin e kontaminuar.

3. Masat parandaluese

1. Ekipet profesionale nga IKSHPK Prizren në bashkëpunim me organet komunale të Suharekës, të përforcuara nga Ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë kanë aplikuar të gjitha masat bashkëkohore kundërepidemike në vatër të infeksionit dhe në rajon dhe janë çdo ditë në vëzhgimin dhe hulumtimin aktiv në identifikimin e rasteve të reja.
2. Janë marrë mostrat për analiza laboratorike të ujit të pijes, si nga ujësjellësi i fshatit dhe nga pusi i shkollës.
3. Janë marrë mostrat e gjakut nga të gjithë të sëmurët në repartin infektiv të spitalit të Prizrenit për verifikimin e diagnozës mikrobiologjike.
4. Të sëmurët me tablo klinike të sëmundjes janë hospitalizuar dhe izoluar në repartin infektiv të Spitalit rajonal në Prizren.

4. Përfundime

1. Kemi të bëjmë me epidemi të karakterit lokal të Hepatitit A e përhapur te nxënësit  dhe fëmijët parashkollor të fshatit Studençan me kontakte familiare edhe në tri vendbanime të komunës së Suharekës (Samadraxhë, Gjinoc dhe Nepërbisht).
2. Burimi i infeksionit nuk është i njohur. Mbetet të hulumtohen të gjitha anketat epidemiologjike dhe analiza e thukët e e inkubacionit të sëmundjes te çdo i sëmurë.
3. Infeksioni ka ndodhur në fillim të dhjetorit dhe rastet e para janë identifikuar më 27 dhjetor.
4. Rruga kryesore e përhapjes së infeksionit është uji i kontaminuar (nga ujrat e zeza sipërfaqësore) dhe kontakti indirekt.
5. Janë sëmurë grupet më vulnerabile të popullatës, fëmijët parashkollor dhe shkollor.
6. Të gjitha rastet e dyshimta në sëmundje janë trajtuar në repartin infektiv të Spitalit të Prizrenit me përkujdesje të lartë profesionale dhe pa asnjë përkeqësim të tablos klinike të sëmundjes.
7. Rastet e dyshimta në Hepatit A duhet të hospitalizohen dhe izolohen.
8. Epidemia është nën kontrollë të ekipeve profesionale të Institutit Kombëtar.
9. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, ka mbajtur ligjërata me qytetarët që të kenë kujdes t'i përmbahen rregullave strikte higjieniko-sanitare dhe pastërtinë shtëpijake dhe ka aplikuar të gjitha masat profilaktike dhe kundërepidemike dhe në ditët në vijim do të mbajë ligjërata me nxënësit e shkollës fillore.
10. Pritet të ketë raste sporadike nga "bishti epidemik" me kontakt andaj, nxënësit e sëmurë duhet të vazhdojnë rehabilitimin shtëpijak, e nxënësit e shkollës të kenë kujdes në mbajtjen e pastërtisë dhe larjen e rregullt të duarëve në shkollë.

5. Rekomandime

1.Të instalohet urgjentisht klorinatori për klorizim të vazhduar në sistemin kaptazh të pompimit.
2.Të sanohen dëmtimet dhe të çarat në murin e kaptazhës.
3.Të bëhet pastrimi mekanik dhe dezinfektimi me tretje klori i mureve të brendshme të kaptazhës së rezervoarit.
4.Sigurimi i zonës mbrojtëse me rrethojë te burimi i Studençanit
5.Të vendoset rrethoja te kaptazha dhe rezervoari i ujit për pije.
6.Të riparohen të gjitha dëmtimet e rrjetit të ujësjellësit në fshat.
7.Të bëhet mirëmbajtja e rregullt e puseve dhe dezinfektimi i ujit nga puset
8.Pastrimi dhe mirëmbajtja e pusetave (shahtave) të kanalizimit.
9.Klorizimi i vazhduar i pusit të shkollës.
10.Dezinfektimi i rregullt i shkollës fillore në Studençan*
11.Verifikimi dhe kontrolli i rrjedhës së kanalizimit (ujërave të zeza) për të pamundësuar kontaktin me ujin e pijes.
12.Rregullimi dhe meremetimi i dëmtimeve në nyjet sanitare në shkollën fillore të Studençanit.
13.Mirëmbajtja e rregullt e kushteve higjienike të nyjeve sanitare dhe hapësirave të shkollës fillore.
14.Të mbahen vazhdimisht ligjërata të edukimit shëndetësor dhe higjienik me nxënës
15.Të organizohen ligjërata të edukimit shëndetësor dhe higjienik me banorët e fshatit Studençan.
16.Grumbullimi i mbeturinave në deponi.
17.Ujërat e zeza të fshatit Dobërdolan të rikaptazhohen sipas propozimit që është bërë para dy muajve(raporti i komunës së Suharekës nr 06/2090 datë 3 dhjetor 2008).
18.Vluarja e ujit të pijes për tërë fshatin dhe përdorimi i ujit të pijes të ambalazhuar.
19.Edukimi shëndetësor në shkollë, shtëpi private, QKMF si dhe vendet publike me popullatën
20.Të sigurohen pako minimale higjienike për familjet e prekura nga HAV dhe të sigurohen kushte shtesë për familjet skamnore.
21.Të sigurohen material mjekësor për QKMF në Suharekë dhe material dezinfektues për shkollën.
22.Inspektorati shëndetësor komunal dhe në nivel shteti në vazhdimësi të koordinoj punën me DSHMS, DAK dhe IKSHPK në mbikëqyrjen e situatës epidemiologjike dhe higjienike si dhe marrjen e masave kundërepidemike në shkollën e Studençanit, shkollat e komunës së Suharekës dhe të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës.
________________
* Pikat 1-10 rekomandojnë zgjidhjen definitive të problemit!