Të dhënat e përgjithshme për sëmundjen

Antraksi është sëmundje tipike e kafshëve. Njeriu preket nga sëmundja si pasojë e kontaktit me kafshën e sëmurë apo produktet e saja. Antraksi mund të paraqitet në tri forma: lëkurore, mushkërore dhe e traktit tretës.

Situata aktuale në Kosovë

Me 23 korrik inspektoriati i veterinës informon për paraqitje të rasteve të antraksit të kafshëve në një fermë të komunës së Rahovecit, të cilit brenda periudhës kohore 11 korrik deri 23 korrik i kanë ngordhur 6 krerë lopë.

Nga familjarët njoftohet veterineri për kontrollë të kafshëve tjera i cili menjëherë dyshon në antraks që vërtetohet pas analizave laboratorike të bëra në Agjensionin e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Me këtë rast, nga forma e lehtë klinike - lëkurore preken 6 anëtarët e familjes.

Ekipet e AVUK-ut ndërmarrin këto masa sipas UA Nr. 06/2008

  • Kafshët e ngordhura merren dhe rigropohen sipas normave, nën mbikqyrjen e Inspektorve veteriner - ekipeve profesionale.
  • Ndalimi i lëvizjes dhe tjetërsimit të kafshëve nga prona në fjalë,
  • Ndalimi i hyrjes në fermë i personave të paautorizuar,
  • Ndalimi i përdorimit të mishit, qumështit të kafshëve të dyshimta,
  • Dezinfektimi në dy fermat e të njejtit pronar,
  • Vaksinimi i kafshëve në fermën e pronarit,
  • Urdhër dhënia për vaksinim të të gjitha kafshëve të këtij fshati me vaksinën kundër antraksit.

Të dhënat epidemiologjike

Gjatë hulumtimit epidemiologjik të anëtarëve të familjes së të zotit të shtëpisë J.H. nga Krusha e Madhe janë gjetur këto të dhëna:

  • Kemi të bëjmë me epidemi familjare,
  • Simptomat e para të sëmundjes lajmërohen me 11 korrik 2014, por nuk kërkojnë ndihmë mjekësore,
  • Simptoma të dyshimta të sëmundjes vërehen tek 6 anëtarët e familjes (temperaturë, ethe, ndryshime lëkurore në duar, dhembje në regjionin aksilar),
  • Dyshimet e para në sëmundje vijnë me datën 20 dhe 21 korrik kur infektogu i Prizrenit dyshon në sëmundje dhe kërkon ndihmë nga IKShPK – ja,
  • Pacientët shtrihen në repartin infektivë në Prizren dhe fillon trajtimi me antibiotik,
  • Gjendja shëndetësore e tyre për momentin është stabile,

Masat e ndërmarra nga ekipi i IKShPK-së:

  • Hulumtimi dhe anketimi i të gjitha rasteve të dyshimta,
  • Marrja e mostrës (strishos nga plaga lëkurore) për konfirmim laboratorik,
  • Edukimi shëndetësor i familjarëve dhe bashkëfshatarëve,
  • Mbajtje nën vëzhgim e familjarëve që kanë ngrënë mishin nga kafshët e dyshimta (dyshimi në antraksin intestinal),
  • Përcjellja e vazhdueshme e gjendjes shëndetësore të pacientëve,
  • Përcjellja e vazhdueshme e situatës epizootike dhe epidemiologjike.

Last Updated (Friday, 25 July 2014 08:44)