alt


SITUATA EPIDEMIOLOGJIKE E TULAREMISË NË REPUBLIKËN E KOSOVËS janar  2014 – 10 shkurt  2015

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes së sëmundjes së Tularemisë qysh në shpërthimin e parë nga viti 1999/2000, kur edhe është zbuluar epidemia e parë e kësaj sëmundje me 247 raste të sëmurëve. Pas kësaj,  në vitin 2001-2002 paraqitet epidemia e dytë me 327 raste të  të sëmurëve.


Në total nga viti 1999 - 10 shkurt 2015 janë raportuar 1469 raste të sëmundjes të cilat kryesisht kanë qenë sporadike.


Përndryshe, që nga viti 1999-2001, rastet e tularemisë janë regjistruar në tërë teritorin e Kosovës, dhe nga kjo periudhë, Kosova është zonë endemike me këtë sëmundje.


Gjendja aktuale

Nga 01 janari 2014 deri më 10 shkurt 2015, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 206 raste të Tularemisë (11.35 në 100.000 banorë). Ky numër, krahasuar me vitin 2013 (22 raste ose 1.2 në 100.000 banorë), tregon rritje të lartë të numrit të rasteve. Ky trend i rritjes, po vërehet edhe në janar të vitit 2015.

Deri sot nuk është raportuar asnjë rast vdekjeprurës në tularemi.


Gjatë analizës së të dhënave vërehet një  shtim i numrit  të rasteve me Tularemi gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, dhe vazhdon  në muajin janar 2015.


Sa i përket konfirmimit laboratorik të rasteve, në periudhën  tetor 2014 - janar 2015 në Departamentin e Mikrobiologjisë, IKSHPK janë testuar gjithsej 400 mostra dhe kanë rezultuar pozitive gjithsej 137 mostra ose 34.2 %.


Rastet  rezultuara pozitive me numër më të lartë, janë kryesisht të pjesës qendrore dhe lindore të Kosovës (rrafshi i Kosovës), ndërsa, në pjesët tjera regjistrohet numër më i ulët i rasteve.


Rastet e tularemisë janë regjistruar në 19 komuna, me 88 vatra.

Komunat me sëmundshmëri më të lartë: Vushtrria, Obiliqi dhe Skenderaj ndërsa me incidencë më të ulët janë  komuna e Prizrenit, dhe Suhareka.

Nga të dhënat e marra gjatë hulumtimit aktiv në terren, në familjet e të sëmurëve, raportohet për numër enorm të shtuar të brejtësve në këto rajone.


Rruga e përhapjes së sëmundjes është uji i puseve dhe ushqimi i ruajtur në mënyrë jo adekuate, si dhe kontakti me gjësende të kontaminuara andaj qytetarët luten të kenë kujdes nga këto rrugë të përhapjes së infeksionit.

Masat e ndërmarra

Ekipet e Institutit Kombëtar me të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike kanë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese në terren sipas protokolit të sëmundjes.

Duke pasur parasysh situatën aktuale epidemiologjike, Komiteti për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë sot ka shpallur epidemi në shkallë Kosove duke aktivizuar të gjitha ekipet e terrenit në parandalimin e rasteve të reja të sëmundjes.

Situata epidemiologjike është në kontrollë të vazhdueshme nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës në terren do të pasojë me rekomandime të reja.

Last Updated (Tuesday, 10 February 2015 13:26)