04 janar 2015

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike po bën mbikëqyrjen permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes dhe në kuadër të kësaj mbikëqyrje edhe raportimin për gripin.

Ne po e percjellim vazhdimisht situatën epidemiologjike në Kosovë dhe në botë dhe jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me zyrën e OSBH-së në Prishtinë. Në këtë sezonë 2014/2015 gripi ka filluar të raportohet nga shtatori dhe përcillet me kujdes të veçantë duke pasur parasysh rrezikun e paraqitjes eventuale të gripit A H1N1 dhe mundësinë e shpërthimit epidemik.


Situata aktuale epidemiologjike

Instituti Kombëtar përcjell me vëmendje ecurinë e shfaqjes eventuale të gripit në Kosovë përmes 6 Instituteve rajonale situatën e sëmundjeve ngjiitëse në sezonin e dimrit me vëmendje të posaçme në gripin A H1N1 bazuar ne Planin e Veprimit. Kështu sistemi ynë i mbikëqyrjes intensive ka grumbulluar dhe analizuar të gjitha rastet e dyshimit në Influencë në të gjitha komunat e Kosovës. Për periudhën tetor – nëntor 2014 janë raportuar 7204 raste me diagnozën ILI. Numri më i lartë i rasteve të raportuara janë nga komuna e Prishtinës (1283) dhe ajo e Prizrenit (862), prej të cilëve në Qendrën Kombëtare të gripit janë diagnostikuar 3 raste pozitive në A (H1N1)v, prej të cilëve 1 rast fatal është raportuar nga SHSKUK (Mjekimin Intensiv Qendror) si pasojë e problemeve të traktit respirator (infiltrate pulmonar bilateral). Duke qenë se rasti fatal është nga komuna e Ferizajt, autoritetet qeveritare dhe shëndetësore kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e sëmundjes.

Të gjitha rastet e raportuar nuk janë AH1N1, por shumica janë ftohje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, rrufa dhe rinite të cilat nuk e kanë tablon klinike tipike të gripit.

Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109, andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Në nivel ndërkombëtar grip me intenzitet të shtuar është regjistruar në të gjitha shtetet e BE-së.


Masat e Institutit Kombëtar

Në këto përgaditje Institutit Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë ka lansuar Planin e Aksionit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë së gripit në Kosovë. Me që nuk është e mundur të parashikohet se a do të shpërthej apo kur mund të shpërthej pandemia e gripit, intervenimet e hershme do të ndihmonin në parandalimin e pasojave katastrofale ose së paku të shtyjnë përhapjen e virusit dhe shfaqjen e pandemisë në përmasa globale.

Kështu nga Ministria e Shëndetësisë sivjet janë siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër gripit sezonal dhe janë shpërndarë në të gjitha institucionet e mjekësisë familiare.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale institucioneve dhe përmes mediave që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mund të pritet në ditët në vijim shfaqje e rasteve të gripit të formës së lehtë me raste sporadike të rënda te personat me sëmundje kronike andaj edhe ata duhet të kenë kujdes më të shtuar.

Në Klinikën infektive deri sot janë trajtuar 4 raste dhe aktualisht një pacient është mbajtë si i dyshimtë i cili është në gjendje të mirë klinike.

Nga të dhënat e deritanishme dhe lëvizjet e pacientëve nëpër ordinanca private, dyshohet për sëmundje tjera kronike ku virusi i gripit vetëm ka keqësuar gjendjen shëndetësore.

Për çdo ndryshim të situatës epidemiologjikë në Republikën e Kosovës Instituti Kombëtar hulumton, raporton diagnostikon dhe merr masa në kohë reale duke njoftuar me kohë opinionin për masat mbrojtëse.

Last Updated (Sunday, 04 January 2015 15:15)